Loading...

Java e Krenarisë 2023

-

Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTQI+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë.

Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTQI+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore. Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psikike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është më se e nevojshme për personat LGBTQI+ në Kosovë. Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTQI+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror.

Për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTQI+.
Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor.

Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme.

Tel:

038-728 417