Si u kthye edukata seksuale në betejë kundër-gjinore?

Date: 21 Tetor, 2025
Share:

Në nëntor të vitit të kaluar, Kosova u përfshi nga një valë reagimesh që në shikim të parë dukeshin si shqetësim prindëror, por që shpejt u shndërruan në fushatë të organizuar politike. Në qendër të debatit ishin doracakët e edukatës seksuale të prezantuar nga Ministria e Arsimit, një material ndihmës për mësimdhënësit, i përgatitur për t’i ndihmuar ata të flasin me nxënësit për trupin, shëndetin riprodhues dhe marrëdhëniet e shëndetshme.

Në vend që të mirëpritej si hap drejt informimit dhe mbrojtjes së fëmijëve, doracaku nxiti një stuhi kritikash të zëshme. Politikanë, gazetarë e opinionistë konservatorë hodhën akuza të rënda, duke i quajtur doracakët e edukimit seksual “amoral” e madje “abuzim me fëmijët”. Në seancën parlamentare të 11 nëntorit, deputeti Eman Rrahmani, ish-anëtar i Vetëvendosjes, tashmë pjesë e “Listës për Familjen”, deformoi skajshëm përmbajtjen e doracakëve, duke pretenduar se aty “udhëzohej” një djalë e një vajzë të preknin njëri-tjetrin për pesë minuta para klasës. 

Retorika e Rrahmanit u amplifikua shpejt nëpër media dhe rrjete sociale. Figura të opozitës, veçanërisht nga Lista për Familje e mbështetur edhe nga politikanë të LDK-së, e shfrytëzuan situatën për të ngritur popullin kundër edukatës seksuale në shkolla. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një tubim me qytetarë, tha “Mbani larg duart prej familjes; mbani duart larg fëmijëve”. Ai mori duartrokitjet e furishme të një turme të trembur nga fantazma e rrezikut imagjinar. Brenda pak ditësh, disa komuna si Prishtina, Skenderaj, Vushtrria e Fushë Kosova njoftuan ndalimin e përdorimit të doracakëve nëpër shkolla. 

Nën trysninë e kësaj fushate të orkestruar, edhe vetë Ministria e Arsimit u tërhoq hapur duke marrë vendim për largim nga përdorimi të doracakëve. Ndërkohë Kryeministri Kurti, përmes një video në rrjetet sociale tha se qeveria ka në fokus familjen e fëmijët duke treguar mungesë guximi për të adresuar temën në fjalë.

Kështu, institucionet zgjodhën heshtjen dhe tërheqjen, në vend se të dilnin hapur në mbrojtje të së drejtës për arsimim gjithëpërfshirës.

Dhe ja, edukata seksuale, dikur temë e anashkaluar dhe e heshtur, papritur u bë shënjestër e propagandës dhe frikës. Duhej vetëm pak dezinformim për ta portretizuar atë si një kërcënim shoqëror. Por në thelb, ky nuk ishte aspak debat për përmbajtjen konkrete të doracakëve. Ishte luftë për ide dhe vlera, një ofensivë kundër vetë parimit që fëmijët (sidomos vajzat) të dinë e të vendosin për trupin e tyre. Pretendimet se “edukimi seksual prish moralin” apo “rrezikon fëmijët” janë të njëjtat refrene të njohura kudo ku forcat konservatore duan të rimarrin terren shoqëror. Përdorimi i fëmijëve si mburojë morale është taktikë e vjetër e politikës patriarkale: frikëso publikun, përhap lajme të rreme, ngatërro instinktin prindëror mbrojtës me paragjykimet fetare, dhe krijo bindjen se emancipimi i të rinjve qenka rrezik. 

Mësymja ndaj doracakëve s’është gjë tjetër veçse sulm ndaj së drejtës së vajzave për dije. Sepse një vajzë që di për trupin e vet, që njeh konceptin e pëlqimit, që e kupton ç’është dhuna seksuale dhe si të mbrohet prej saj, ajo vajzë është e lirë. Dhe liria e vajzave ka qenë gjithmonë kërcënimi më i madh për sistemet që ndërtohen e mirëmbahen mbi shtypjen e të tyre.  

Në fakt, edukimi seksual nuk është luks por mjet mbijetese. Të pajisësh fëmijët me dije mbi trupin, marrëdhëniet dhe seksualitetin e tyre, do të thotë t’i mbrosh ata nga abuzimi, nga shtatzënitë e padëshiruara në moshë të hershme, nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, nga turpi dhe stigma e panevojshme. Studime të shumta kanë treguar se fëmijët që marrin edukim gjithëpërfshirës seksual janë më pak të rrezikuar nga dhuna me bazë gjinore dhe më të aftë të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme me moshatarët. Pra, stigmatizimi i kësaj lënde nuk i mbron fëmijët, përkundrazi, i lë ata në errësirë dhe i bën më të cenueshëm. 

Ajo që ndodhi në Kosovë nuk është një episod i izoluar. Përkundrazi, pas kësaj fushate qëndron e ashtuquajtura lëvizje kundër-gjinore, një rrjet transnacional grupesh konservatore, fetare e nacionaliste që operojnë me të njëjtën strategji në mbarë botën. Këto forca pretendojnë se po mbrojnë “familjen” dhe “vlerat tradicionale”, por në të vërtetë synojnë kontrollin mbi trupin dhe liritë e individit, veçanërisht të grave e personave LGBTQ+. 

Në Poloni, lëvizjet ultra-konservatore i dhanë shtysë pushtetit të ndalojë pothuajse krejtësisht abortin ligjor, si dhe të kërcënojë me burg mësuesit që përmendin temën e orientimit seksual apo kontracepsionit në shkolla. Në Hungari, qeveria e Viktor Orban miratoi ligje që ndalojnë përmendjen e personave LGBTQ+ nëpër materiale shkollore, duke i barazuar në mënyrë absurde me pornografinë dhe pedofilinë.

Në Shtetet e Bashkuara, disa shtete si Florida kanë miratuar ligje të tipit “Don’t Say Gay”, që e ndalojnë mësimin apo edhe përmendjen e temave të identitetit gjinor dhe orientimit seksual në shkollat fillore. Në Brazil, gjatë qeverisjes së Jair Bolsonaro, u ndërprenë programet e edukimit seksual dhe u përshkallëzuan përpjekjet për t’iu ndaluar shkollave mësimin e “ideologjisë gjinore”. Mbi 200 projektligje janë propozuar në nivel lokal për të ndaluar trajtimin e çështjeve të gjinisë dhe seksualitetit në shkolla. 

Në të gjitha këto raste, narrativa dhe mjeti propagandistik janë të njëjta. Është një trend antidemokratik, i kamufluar si mbrojtje e “vlerave”, por që në fakt shkel të drejtat e njeriut. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se në vitin 2024 gati një në katër vende ka raportuar hapa pas në të drejtat e grave. Me fjalë të tjera, po përjetojmë një reagim (backlash) global që kërcënon të zhbëjë dekada përparimi në barazinë gjinore. Kjo rrezikon jo vetëm gratë e vajzat, por vetë themelet demokratike të shoqërive.

Sot, vajzat dhe gratë e Kosovës gjenden përballë rreziqeve reale që dekada përparimi të shkrihen si rërë. Në shkollat tona, rastet e ngacmimeve seksuale dhe bullizmit gjinor po shtohen. Nëse vazhdojmë kështu, nesër do të kemi më shumë burra të rinj që e shohin dhunën ndaj grave si normale, dhe më shumë gra të reja që e pranojnë padrejtësinë si fat.

Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vajzat versus djemtë. Bëhet fjalë për t’i mësuar të gjithë fëmijët me vlerat e respektit, barazisë dhe empatisë. Bëhet fjalë që djali i sotëm të mos bëhet abuzuesi i nesërm; që vajza e sotme të mos bëhet viktima e radhës nesër. Dhe këtë rol e ka veçse edukimi. 

Në gjithë këtë betejë, sjellja e institucioneve është vendimtare. Heshtja dhe tërheqja e institucioneve përballë sulmeve anti-gjinore është po aq e rrezikshme sa vetë propaganda e tyre. Kur Ministria e Arsimit zmbrapset dhe “e rishikon” idenë e edukimit seksual, ajo në fakt po legjitimon fushatën e dezinformimit. Kur partitë kryesore frikësohen të flasin hapur për të drejtat riprodhuese apo për mbrojtjen e komuniteteve të margjinalizuara, ato në fakt po lëshojnë terren ndaj ekstremistëve konservator. 

Doracakët e edukimit seksual kanë pasur mangësi teknike apo gabime për t’u korrigjuar, por ideja e edukimit seksual nuk mund të vihet në pikëpyetje. Këto janë vija të kuqe që një shoqëri demokratike s’duhet t’i shkelë. Kush frikësohet nga trupat e lirë e të informuar të vajzave, në fakt frikësohet nga fuqia e tyre për të ndryshuar botën. Ndaj, në një kohë kur propaganda e frika po përpiqen ta kthejnë orën prapa, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë dhe e guximshme.

Fëmijët kanë të drejtë të dinë, të kuptojnë dhe të mbrohen. Kjo e drejtë nuk është e negociueshme. 

“Mos harroni kurrë se mjafton një krizë politike, ekonomike apo fetare që të vihen në dyshim të drejtat e grave. Këto të drejta nuk janë kurrë të fituara një herë e përgjithmonë; duhet të qëndroni vigjilente përgjithmonë.”

Këto fjalë të Simone de Beauvoir, të shkruara dekada më parë, sot tingëllojnë tronditshëm aktuale. Të drejtat që fituam me vështirësi, mund të na i marrin mbrapsht sa hap e mbyll sytë po nuk i mbrojtëm. Prandaj, edukatën seksuale do ta mbrojmë, të drejtat riprodhuese do t’i zgjerojmë, vajzat dhe djemtë do t’i arsimojmë për barazi.

Nga Leonida Molliqaj