Në Kosovë, rinia shpesh përmendet si shpresa e ndryshimit. Politikanët e përmendin në çdo fjalim, organizatat e përdorin në çdo raport. Por në praktikë, kur i sheh të rinjtë brenda partive politike, pyetja nuk është më “a po sjellin ata ndryshim?”, por “a po e ruajnë ata rendin e vjetër?”.
Dy raporte të fundit, ai i Institutit Sekhmet për Përfaqësimin Politik të Personave LGBTIQ+ dhe “Assessment of Anti-Gender Movements and Resistance in Kosovo”, publikuar nga CSGD, tregojnë një pasqyrë që nuk përputhet me retorikën e shpresës. Në vend që të shtyjnë përpara ide të reja për barazi, drejtësi e përfshirje, të rinjtë politikë në Kosovë po e riprodhojnë të njëjtin konservatorizëm që e kanë trashëguar nga udhëheqësit e tyre.
Në analizën e Sekhmetit, asnjë forum rinor i partive kryesore (Vetëvendosjes, Partisw Demokratike tw Kosovws, Lidhjes Demokratike tw Kosovws dhe Aleancws pwr Ardhmwrinw e Kosovws), nuk ka ndonjë politikë apo qëndrim të qartë për barazi gjinore ose për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+. Shumica e tyre, madje, i shmangen këtyre temave krejtësisht. Në disa raste, i përmendin si “temë të ndjeshme” apo “jo prioritare për elektoratin”. Në vend që të flasin për barazi, flasin për “vlera tradicionale”. Në vend që të kërkojnë hapësira të reja, përforcojnë muret e vjetra.
Në programet politike, termat si “familje tradicionale” e “moral shoqëror” shfaqen më shpesh se “barazi”, “kujdes”, apo “të drejta”.
Raporti për lëvizjet anti-gjinore në Kosovë (2025) tregon se vendi është bërë pjesë e një vale të re konservatore në rajon, një aleancë mes disa figurave fetare, politikanëve dhe aktivistëve që përdorin narrativën e “mbrojtjes së familjes” për ta frenuar barazinë gjinore.
Në këtë rrjet të paemër, të financuar shpesh përmes organizatave me lidhje ndërkombëtare, fjala “gender” është kthyer në armë. Në rrjete sociale, në televizione e në fjalime publike, ajo përdoret si simbol i “rrezikut që vjen nga Perëndimi”, si diçka që duhet ndalur para se “të na shkatërrojë rininë”.
Në këtë klimë frike dhe moralizimi, rinia politike ka zgjedhur të heshtë. Jo sepse nuk e kupton rrezikun, por sepse e ndien më të lehtë të përshtatet me të. Në intervistat e zhvilluara nga Sekhmet me pjesëtarë të forumeve rinore, shumë prej tyre pranojnë se shmangin temat queer ose feministe, sepse “nuk i kupton elektorati” ose “nuk sjellin vota”.
Ky autocensurim është një formë e butë e frikës, frika për të dalë jashtë rreshtit, për të folur ndryshe nga partia, për të rrezikuar karrierën. Dhe kështu, në vend që të sfidojnë sistemin, të rinjtë po bëhen pjesë e tij.
Por ky fenomen nuk ka të bëjë vetëm me partitë. Sipas raportit të anti-gender movements, kjo është një strategji më e gjerë, që përfshin diskursin publik, sistemin arsimor dhe mediat. Në të tria këto fusha, identiteti i gruas dhe i personave queer trajtohen si “çështje për debat”, jo si realitete që kërkojnë mbrojtje dhe barazi. Kështu, barazia trajtohet si kërcënim dhe urrejtja si opinion. Në të njëjtën kohë, kjo klimë diskursive ka efekte reale. Kur liderë politikë të rinj flasin për “moralin kombëtar” dhe “rrezikun nga ideologjitë gjinore”, ata nuk po bëjnë debat intelektual, po krijojnë kushte që justifikojnë dhunë. Në një vend ku dhuna në familje është ende e përditshme, ku raportet për sulme ndaj personave queer mbeten pa dënim, kjo gjuhë është benzinë për zjarrin ekzistues.
A do ta sfidojë ndonjëherë rinia këtë rend?
Rinia politike duhej të ishte forca që e çliron politikën nga frika. Por në realitet, po e mban gjallë. Në vend që të kërkojë hapësira të reja për barazi e drejtësi, ajo po mbyllet në të njëjtat fjalë që përdor brezi i vjetër. Në vend që të flasë për të drejta, po flet për “identitet”.
Në vend që të luftojë pabarazitë, po bën selfie në kongrese partie.
Në raportin e Sekhmetit thuhet se rinia politike në Kosovë po e përsërit modelin e patriarkatit që pretendon ta zëvendësojë. Dhe kjo nuk është thjesht kritikë, është paralajmërim. Sepse nëse rinia nuk e kupton se barazia gjinore dhe e drejta për të qenë ndryshe janë thelb i demokracisë, jo “temë periferike”, atëherë çdo ndryshim i ardhshëm do të jetë vetëm kozmetik. Një brez i ri, me të njëjtin konservatorizëm, vetëm më mirë i ambalazhuar.
Megjithatë, përtej partive, ekziston edhe një brez tjetër, ai i aktivistëve, feministeve dhe organizatave queer që, pa bujë e pa pushtet, po ndërtojnë një politikë tjetër: të kujdesit, të solidaritetit dhe të jetës së përbashkët. Në një kohë kur urrejtja është bërë strategji politike, kujdesi është akt rezistence. Nëse ekziston ndonjë shpresë për ndryshim, ajo nuk vjen nga foltoret, por nga rrugët, qendrat komunitare, protestat dhe hapësirat e vogla ku njerëzit e margjinalizuar nuk kërkojnë më miratim, por drejtësi.
Në fund të ditës, pyetja mbetet e njëjtë: a po e sfidon rinia politike status quo-në, apo po e ruan atë me uniformë të re? Sepse ndryshimi nuk vjen nga mosha, vjen nga guximi. Dhe derisa guximi të mungojë, rinia do të vazhdojë të mbetet vetëm një slogan në fjalimet e politikanëve të vjetër.
Nga Dardan Hoti