Gëzuar ditën Ndërkombëtare të Dukshmërisë të personave Transgjinorë!
Dashuri dhe solidaritet përgjithmonë!
Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë të personave Transgjinorë shënohet çdo vjet më 31 Mars. Kjo ditë ka filluar të shënohet në vitin 2009 nga Rachel Crandall, specialist i çështjeve transgjinore. Qëllimi i k֝ësaj dite është të njohë arritjet e personave transgjinorë si dhe të tërheqë vëmendjen për betejat e tyre të vazhdueshme. Gjithashtu kjo ditë shënohet për të ngritur ndërgjegjësimin për diskriminimin dhe dhunën fizike me të cilin përballen personat transgjinor kudo nëpër botë. Kjo është një ditë për të treguar mbështetjen tonë për personat transgjinorë, ndërsa lufton cis-seksizmin dhe transfobinë. Ndryshe nga Dita e Përkujtimit Transgjinor, kjo nuk është një ditë për të mbajtur zi: kjo është një ditë e fuqizimit dhe njohjes që e meritojnë!
Që nga qershori 2018, identiteti transgjinor nuk klasifikohet më si një çrregullim mendor në “Klasifikimin Statistikor Ndërkombëtar të Sëmundjeve dhe Problemeve të Ndërlidhura Shëndetësore (ICD)”. Kjo e bënë më të lehtë qasjen në kujdesin shëndetësor për personat transgjinor. Shumë shtete tashmë kanë bërë të mundshme që të bëhen ndryshime të gjinisë në regjistrat civil dhe dokumentet publike pa kërkesa mjekësore ose psikologjike. Ndërsa në Kosovë, nga viti 2015, Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi e ndalon diskriminimi në bazë të identitetit gjinorë. Me hyrjen në fuqi të Kodit Penal, 15 Prill 2019, gjuha e urrejtjes dhe krimi i motivuar dhe i bazuar në identitetin gjinorë konsiderohet vepër penale. Pavarësisht kësaj, personave transgjinorë iu shkelen sistematikisht të drejtat e tyre, pasi që shteti i Kosovës nuk iu ofron shërbimet e nevojshme ligjore dhe shëndetësore.
Prandaj, sot më 31 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Dukshmërisë të personave Transgjinorë, CSGD i bënë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshmne dhe Agjencionit të Regjistrit Civil;
* Që sa më shpejtë të funksionalizojnë grupin punues për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Gjendjen Civile si dhe të hartojë ligjin e veçantë që personave transgjinor do t’iu mundësojë ndryshimin e gjinisë/seksit në regjistrat civil dhe dokumentet publike.
Po ashtu CSGD i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë
*që të ofroj shërbimet shëndetësore specifike dhe të nevojshme për personat transgjinorë siç është terapia hormonale dhe intervenimet kirurgjike të përshtatjes së gjinisë.
Ne të gjithë duhet të kontribuojmë në përpjekjen për t’i dhënë fund diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes ndaj personave transgjinorë dhe të krijojmë një ambient të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosoves.