Si lëvizja kundër gjinisë po kthehet në një projekt botëror për të kontrolluar kuptimin e lirisë.
Më 1 tetor 2025, Parlamenti i Sllovakisë votoi për të ndryshuar kushtetutën, duke përcaktuar se ekzistojnë vetëm dy sekse — të pandryshueshme që nga lindja dhe të vlefshme përgjithmonë. Vendimi, i dënuar nga organizatat për të drejtat e njeriut si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj personave transgjinorë, ishte një tjetër shfaqje e ankthit global rreth gjinisë — një pasiguri që sot lidh parlamente, grupe dhe rrjete online nga Bratislava deri në Brazil.
Brenda pak orësh, komentues të ekstremit të djathtë, media konservatore dhe platforma kundër gjinisë në kontinente të ndryshme nisën ta shpërndanin vendimin e Sllovakisë si një shembull për t’u ndjekur. Në rrjetet X dhe Telegram, postime që e lavdëronin vendin për “mbrojtjen e së vërtetës biologjike” u përhapën në të njëjtat rrjete online që rregullisht përçojnë ndjenja dhe fushata kundër personave transgjinorë në mbarë botën.
Të gjithë ishin pjesë e asaj që tashmë njihet si lëvizja kundër gjinisë — një fushatë transnacionale që pretendon se mbron familjen dhe fëmijët, por që në thelb synon të rifitojë kontrollin mbi kuptimin e trupit njerëzor.
Për dekada me radhë, feminizmi ka sfiduar idenë se biologjia përcakton fatin e njeriut. Personat queer dhe transgjnorë e kanë çuar më tej këtë sfidë, duke e jetuar vetë në trupin e tyre. Reagimi që po forcohet sot nuk është vetëm konservator, por edhe përpjekje për t’i bërë sërish të pandryshueshme kategoritë burrë dhe grua, për t’i kthyer në të vërteta të fiksuara ato që historia i ka bërë të lëvizshme.
Siç ka shkruar Judith Butler që tridhjetë vjet më parë, gjinia nuk është një fakt i lindur, por një “stilizim i përsëritur i trupit” — një performancë që mbahet gjallë sa kohë përsëritet dhe besohet. Ata që udhëheqin sot lëvizjen kundër gjinisë e kuptojnë këtë, ndoshta edhe pa e pranuar. Zemërimi i tyre buron nga vetëdija se gjinia kurrë s’ka qenë aq e qëndrueshme sa janë mësuar ta besojnë, dhe se, pikërisht sepse është performancë, ajo mund të luhet ndryshe.
Në mbarë botën, kjo vetëdije ka nxitur një reagim të frikshëm dhe të koordinuar. Institucione fetare, parti nacionaliste dhe organizata të ekstremit të djathtë ndajnë mes tyre modele ligjore, slogane dhe strategji propagandistike. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se njëzet shtete kanë kufizuar kujdesin shëndetësor për të rinjtë transgjinorë. Në Mbretëri të Bashkuar, reformat e shumëpremtuara për ta bërë më të lehtë njohjen ligjore të gjinisë kanë ngecur. Në Amerikën Latine dhe në Afrikë, qeveritë përdorin të njëjtën gjuhë për “mbrojtjen e fëmijëve” dhe “ruajtjen e traditës”.
Në këtë fushatë botërore, personat transgjinorë — e veçanërisht gratë transgjinore — janë bërë njëkohësisht simboli dhe shënjestra. Ato përshkruhen si prova se liria liberale ka shkuar shumë larg, se moderniteti ka humbur orientimin.
Gjatë dy dekadave të fundit, personat transgjinorë kanë arritur atë që dikur dukej e pamundur. Njohja ligjore është përhapur nëpër kontinente; reforma për shënuesit gjinorë janë miratuar në vende aq të ndryshme sa Argjentina, Portugalia dhe Pakistani. Në Indi, Gjykata e Lartë ka njohur kategorinë e “gjinisë së tretë”, ndërsa në Kili ligjet e reja u lejojnë individëve të ndryshojnë gjininë ligjore pa ndërhyrje mjekësore. Dukshmëria trans ka hyrë në kulturën popullore — nga televizioni te politika — duke ndryshuar vetëdijen publike dhe duke detyruar institucionet e heshtura prej dekadash të përballen me një kuptim më të gjerë të njerëzores. Për shumë të rinj, ideja se identiteti mund të përcaktohet vetë nuk është më radikale, por e vetëkuptueshme.
Por ky sukses ka sjellë edhe rrezikun e vet. Dukshmëria ka sjellë njohje, por edhe ndëshkim. Reagimi që po zhvillohet sot është, në një farë mënyre, pasojë e asaj që tashmë është fituar. Ndërsa të drejtat e personave transgjinorë përparuan, po aq u forcua edhe mekanizmi i kundërshtimit — qendra studimore që e rimodelojnë urrejtjen si kujdes, politikanë që e përkthejnë panikun moral në ligje, dhe media që e shndërrojnë barazinë në kërcënim.
Në veçanti, janë gratë transgjinore ato që kjo lëvizje i frikësohet më shumë. Ato zbulojnë se gjinia nuk është ligj i natyrës, por një marrëveshje shoqërore; se feminiteti nuk kufizohet në trup dhe nuk është pronë e askujt. Nëse një burrë mund të bëhet grua, atëherë “gruas” i hiqet roli si pronë mbi të cilën ngrihet pushteti patriarkal. Frika që pason nuk ka të bëjë aq me identitetin, sa me vetë autoritetin, me pyetjen se kush e zotëron të drejtën për të përcaktuar kuptimin e trupit.
Vajzat dhe gratë transgjinore, më shumë se kushdo tjetër, jetojnë atë që Butler e quan “precarity” — një gjendje pasigurie të qëllimshme, të prodhuar nga përjashtimi shoqëror. Në Kosovë, kjo gjendje merr formë konkrete. Do të ishte e lehtë ta shihnim Kosovën si një vend të ngecur mes traditës dhe modernitetit. Por në të vërtetë, ajo është pasqyrë e botës. Gjatë debatit për Kodin Civil, që do tu hapte rruge bashkëjetesave civile mes të njëjtit seks, deputetët përdorën të njëjtën gjuhë që dëgjohet në Poloni, Hungari apo Shtetet e Bashkuara: “ideologji e huaj”, “rrezik për fëmijët”, “mbrojtje e kombit”. Këto fjalë nuk lindën në Prishtinë. Lëvizja kundër gjinisë nuk ka nevojë të pushtojë institucione për të fituar; mjafton të ngulë rrënjë në gjuhë, derisa hezitimi të ngurtësohët në besim.
Ajo që lidh zellin ligjor të Sllovakisë me apatinë burokratike të Kosovës është e njëjta frikë nga identeti grua. Shoqëritë patriarkale i tolerojnë gratë vetëm sa kohë që ato mbeten të nënshtruara; të kufizuara nga biologjia, riprodhimi dhe bindja. Një grua transgjinore, duke zgjedhur të jetë grua, e zbulon këtë mashtrim. Ajo tregon se feminiteti nuk është substancë e lindur, por një proces në lëvizje. Vetë ekzistenca e saj trondit rendin.
Në Kosovë identiteti gjinor njihet ligjërisht, madje edhe në Kodin Penal, por jeta e përditshme tregon një tjetër histori. Tentativat për vetëvrasje mbeten të shumta; familjet i përzënë fëmijët në emër të “nderit”.
Nuk ekziston asnjë procedurë administrative për ndryshimin e emrit apo të gjinisë në dokumentet zyrtare, përveç një vendimi të vetëm gjyqësor në vitin 2020, që i dha të drejtë një personi — një rast që ende nuk është shndërruar në precedent për të tjerët. Aktivistët queer tregojnë se kërkesat për ndryshimin e emrit ose të shenjës gjinore zakonisht përfundojnë me refuzim administrativ.
Në sistemin shëndetësor, boshllëku është edhe më i thellë. Nuk ka mjekë endokrinologë të trajnuar për terapi hormonale, as klinika publike që mbështesin ndonjë formë të tranzicionit gjinor, dhe as protokolle që ndjekin standardet e OBSH-së. Po ashtu, nuk ekziston asnjë strehimore shtetërore për të rinjtë queer që largohen nga shtëpitë për shkak të dhunës.
Në teori, një strehimore do të duhej të ishte vend sigurie për çdo person të komunitetit queer. Në praktikë, aktivistët tregojnë se dhuna më e ashpër bie mbi vajzat dhe gratë transgjinore. Familjet dhe shoqëria, thonë ata, e kanë më të vështirë të pranojnë idenë se një djalë, një i afërm apo një mik mund të përqafojë identitetin e një gruaje. Kjo mospranim shpesh përfundon me përjashtim nga shtëpia, dhunë fizike, ose me mizorinë e heshtur të përjashtimit nga trashëgimia.
Në fund, të drejtat në letër mbeten abstrakte; jeta e jetueshme kërkon infrastrukturë — klinika, strehimore, kujdes dhe besim. Kështu, Kosova nuk i përjashton ligjërisht personat transgjinorë; ajo thjesht vepron sikur ata të mos ekzistojnë.
Ajo që fillon si neglizhencë, shndërrohet në politikë, duke ndryshuar vetë strukturat që dikur premtuan barazi. Në mbarë botën, të drejtat e fituara me mund po zhbëhen: në Shtetet e Bashkuara, në Hungari e Poloni, dhe së fundi në Sllovaki. Këto përmbysje kujtojnë se të drejtat nuk janë fitore të përhershme, por marrëveshje të brishta të varura nga klima politike dhe paniku moral. Qëllimi i lëvizjes kundër gjinisë nuk është thjesht të kufizojë tranzicionin gjinor; ai është të riformulojë vetë kuptimin e lirisë — ta kthejë trupin nën kujdestarinë e shtetit, institucionit fetar dhe familjes.
Përballë kësaj lëvizje ndërkombëtare kundër gjinisë, solidariteti është mbijetesë. Të qëndrosh në krah të personave transgjinorë do të thotë të mbrosh kufirin e fundit të lirisë, sepse jeta e tyre shënon vijën më të largët të asaj që shoqëritë pranojnë si njerëzore. Masa e përkushtimit tonë ndaj barazisë nuk matet me mënyrën se si trajtojmë ata që na ngjajnë, por me mënyrën se si i pranojmë ata që e zgjerojnë kuptimin e vetë “ne-së”.
Siç kanë argumentuar Judith Butler dhe shumë mendimtare feministe, mënyra se si trajtohen jetët trans është një provë për vetë aftësinë e demokracisë për të mbajtur premtimin e saj më themelor — lirinë.
Nga Dafina Halili