Loading...

Martesat gay janë pro familjes!

-

Çdo impuls i frenuar helmon mendjen! Frojd, kishte të drejtë kur bënte këtë pohim që në shek. XVIII-XIX. Drama e njeriut komunist, njëjtësimi i tij me gjithë të ngjashmit dhe krejt të pangjashmit me të, bëri që njeriu post-komunist të bëhej sidoqoftë, por veçse jo ai që është. Natyra njerëzore duke qenë thelbësisht shpirtërore dhe materiale, është në luftë të vazhdueshme; të brendshme dhe të jashtme për të gjetur identitetin që mund ta bëjë të arrijë një farë ekulibri psikofizik, megjithëse që në lindje jemi “dënuar” të jemi pjesë e një dinamike herë regresuese por shpesh edhe progresuese të qenies në raport me botën jashtë apo e kundërta: botës jashtë në raport me botën brenda ose, me një fjalë: dialektikë.

 

Dialektika e vendit tonë është e tipit; furtunë, shi me breshër dhe ndonjëherë edhe tsunami. Pra, sa më shumë të gjallojë dinamika e brendshme në raport me atë të jashtme aq më “e acartë” është dialektika.
Për të dalë në fillimin e këtyre rreshtave, sa më shumë njeriu të imitojë një dinamikë që nuk i përket, sa më shumë të kërkojë të çbëjë thelbin e tij të vërtetë duke imituar një thelb të ndryshëm, aq më pak do t’i ngjajë ai njeriut dhe aq më incognito do bëhet.

Pikërisht ky është fataliteti i të qenit gay në Shqipëri! Shumica prej tyre nuk janë ata që janë. Shumë bëjnë një jetë ‘tjetër’ të cilën ua ka shërbyer të gatshëm që në lindje morali predominues i familjes, shoqërisë dhe vendit. Të tjerë i fshihen edhe vetes, dhe këtu ndodh ndrydhja… që helmon… Helm ky që i bën të kthehen paradoksalisht në homofobë, si luftë e vetes, drejtuar po prapë vetes.
Ajo që ‘ruajtësit’ e familjes tradicionale nuk duan të kuptojnë është se homoseksualët në një situatë tjetër, ku nuk do të quheshin as pederastë e as lezbike, por thjesht njerëz, mund dhe duan të dashurojnë njësoj si “normalët”. Ata/ato pra, nuk janë perversë e aq më pak të sëmurë!
Shën Agustini thoshte: Dashuro dhe bëj ç’të duash!
Traditëruajtësit nuk e dinë dhe nuk duan ta pranojnë që një shok, shoqe, koleg apo mik mund të jetë gjithashtu gay. Ndonjëherë edhe kur është më afër se kaq, madje.
Traditëruajtësit ndër analiza sipërfaqësore, vulgare, tallëse dhe paragjykuese nuk kuptojnë gjënë më të thjeshtë: Lejimi i homoseksualëve për t’u martuar, ndërtuar familje, madje bërë dhe fëmijë është zgjidhja më e mirë për një shoqëri të hapur ku burri e as gruaja nuk ka nevojë të fshihet pas një martese “sa për sy e faqe”. Ai mund të bëjë seks e të dashurohet me një partner që e do! Ai nuk ka pse të bëjë fëmijë me një grua, duke e deduksionuar këtë të fundit thjesht në një mitër. Ai nuk ka pse të fshihet! As ajo. As ata. Askush që ndihet i ndryshëm!

Martesat gay duhen përkundrazi, për të ruajtur familjen. Ndalimi i tyre krijon ndrydhje. Dhe ndrydhja shkatërron individin por, edhe shoqërinë si një e tërë.

Martesat gay janë pro familjes!

Tel:

038-728 417